I dehur në timon, policët arrestojnë kolegun pasi përplasi një makinë – plagoset shoferja

Tiranë, 30 Tetor 2025 – Një efektiv i Policisë së Shtetit është arrestuar në flagrancë pasi, në gjendje të dehur, ka përplasur një tjetër automjet në kryeqytet, duke plagosur një grua që po drejtonte makinën e saj. Ngjarja ka ndodhur në Tiranë, ndërsa shoferja e plagosur është dërguar në Spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), punonjësi i policisë rezultoi pozitiv me 0.94 mg/l alkool në testin e kryer menjëherë pas aksidentit. Ai është pjesë e Repartit të Sigurisë dhe Ceremonialit dhe tashmë ndaj tij janë nisur procedurat penale për “Drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”.

Më poshtë komunikata e plotë e AMP-së:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka arrestuar në flagrancë një punonjës të policisë me detyrë Trupë Shërbimi në Repartin e Sigurisë dhe Ceremonialit i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Arrestimi i tij u krye pasi gjatë drejtimit të automjetit, ka goditur nga pas një automjet tjetër, ku për pasojë është dëmtuar shtetasja P. K.

Ajo është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga verifikimi me testin matës së alkoolit, efektivi ka rezultuar pozitiv në masën 0.94 mg/l.

“Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, njoftoi AMP.