Është hedhur paraditen e sotme shorti për përzgjedhjen e apartamenteve në pallatet e ndërtuara në lagjen e re “5 Maji”, ku do të sistemohen familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019.
58 familjarë ose përfaqësues të tyre, të pajisur me prokurë, morën pjesë në shortin publik, ku përmes një procesi të hapur dhe transparent, përzgjodhën shtëpinë e tyre të re, në të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë me shtëpinë që kishin përpara tërmetit.
Edhe pse një pjesë dërrmuese e tyre prej ditësh kanë dalë në protestë, disa nga banorët që preken nga projekti i lagjes së re te “5 Maji” janë dakordësuar me Bashkinë e Tiranës për t’u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit.
Sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, të gjithë banorët që preken nga ky projekt përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që janë ndërtuar ose po përfundojnë ndërtimin në lagjen e re te “5 Maji”.
