SARANDA- Një shpërthim me tritol ka ndodhur mesnatën e kaluar në lagjen nr.3 në qytetin e Sarandës nga ku mësohet se një automjeti të parkuar iu vendos eksploziv, duke e hedhur në erë. Sipas informacioneve, automjeti është përfshirë totalisht nga flakët.
Ndërkohë për shkak të panikut, mësohet se shumë banorë apo turistë kanë dalë nga banesat pas shpërthimit. Nga ana tjetër, sipas informacionit zyrtar të Policisë, nuk raportohet për asnjë person të lënduar.
Megjithatë në media është hedhur dritë mbi shkaqet e mundshme të kësaj ngjarjeje teksa raportohet se hakmarrja konsiderohet si pistë, kjo pasi pronar i mjetit rezulton Klaus Jaçaj 31-vjeç, i shpallur në kërkim nga policia vetën 4 ditë më parë pas një sherri për pronësi.
Jaçaj akuzohet për përkrahje të autorëve të krimit, pasi ka ndihmuar dy autorët Ramadan dhe Erjon Canaj, të cilët qëlluan 2 të rinj pas sherrit për pronën në bregdet.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 21.07.2025, rreth orës 23:50, në lagjen nr. 3, Sarandë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive e vendosur në një automjet, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti rezulton në pronësi të shtetasit K. J., 31 vjeç, person i shpallur në kërkim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e datës 17.07.2025, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas.
