Gramsh – Finalizohet operacioni “Survejimi”, arrestohet 63-vjeçari për kultivim kanabisi dhe armëmbajtje pa leje, shpallet në kërkim djali i tij

GRAMSH – Policia e Gramshit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Elbasanit, ka finalizuar me sukses një tjetër operacion në kuadër të planit kombëtar antikanabis të koduar “Koordinata”. Pas një hetimi njëmujor me metoda proaktive, u zhvillua operacioni policor “Survejimi”, që çoi në goditjen e një aktiviteti kriminal të kultivimit të kanabisit.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë Myrtezan Hoxha, 63 vjeç, banues në fshatin Grazhdan, teksa kujdesej për 35 bimë narkotike, të cilat i kishte kultivuar në një sipërfaqe të pyllëzuar pranë banesës së tij.

Kontrolli në banesën e tij zbuloi edhe 2 armë gjahu, 2 radio komunikimi të ngjashme me ato të përdorura nga Policia, si dhe 60 fishekë të kalibrave të ndryshëm, të gjitha të mbajtura pa leje.

Në vijim të hetimeve, u shpall në kërkim djali i tij, A. Hoxha, 33 vjeç, banues në Tiranë, për dyshime se ka bashkëpunuar me të atin në veprimtarinë kriminale. Policia po punon për kapjen e tij dhe vënien para drejtësisë.

Bimët narkotike u asgjësuan në vendngjarje, ndërsa armët, municioni dhe pajisjet e tjera u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprat penale:

“Kultivimi i bimëve narkotike”

“Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”

“Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”

“Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Policia e Elbasanit njofton se operacionet antikanabis do vijojnë me intensitet dhe apelon për bashkëpunim me qytetarët në luftën kundër aktivitetit kriminal.