Grabiti 80 shtëpi në Itali, arrestohet 30-vjeçari shqiptar që hapte dyert me krik makinash

Një shtetas shqiptar 30-vjeçar është arrestuar në Itali, i akuzuar për rreth 80 vjedhje banesash të kryera mes viteve 2021 dhe 2024 në provincën e Ravenës.

Arrestimi u bë dy ditë më parë në Aeroporti i Ciampinos, gjatë kontrolleve të pasagjerëve të një fluturimi nga Shqipëria. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër ndalimi paraprak nga Gjykata e Ravenna, me kërkesë të Prokurorisë Publike dhe mbi bazën e hetimeve të Skuadrës Fluturuese.

Skema e vjedhjeve

Sipas mediave italiane, hetimet nisën në vitin 2021, kur në Ravenë u regjistrua një rritje e ndjeshme e vjedhjeve me thyerje, veçanërisht në zonat Fiume Montone Abbandonato, Via Maggiore, Via Ravegnana dhe Via Poggi.

Vjedhjet kryheshin gjithmonë gjatë natës dhe kishin si objektiv para në dorë dhe sende me vlerë. Hetuesit vunë re një model të përsëritur veprimi: dyert dhe hekurat e banesave hapeshin me një krik makine – një mjet i thjeshtë, i heshtur dhe lehtësisht i transportueshëm, që shpesh gjendej në vendngjarje.

Analiza kohore e episodeve zbuloi periudha me një numër të lartë incidentesh, të ndjekura nga periudha qetësie të plotë, çka përforcoi dyshimet se bëhej fjalë për të njëjtin autor. Në total, rreth 80 raste u atribuuan të njëjtit profil, duke e renditur Ravenën ndër qytetet italiane me nivel të lartë vjedhjesh banesash në atë periudhë.

Identifikimi përmes kamerave dhe analizës fizionomike

Pamjet e kamerave të sigurisë ndihmuan në krijimin e një profili të detajuar: një burrë i ri, fizikisht i fuqishëm, me fytyrë të maskuar, lëvizje të shpejta dhe një ecje karakteristike.

Gjatë një operacioni policor, një person që përputhej me përshkrimin u ndalua teksa lëvizte me makinë. Ai u shoqërua në komisariat dhe iu nënshtrua verifikimeve. Krahasimi i tipareve fizike dhe analizat morfologjike të kryera nga Zyra Rajonale e Policisë Ligjore konfirmuan përputhjen me imazhet e siguruara nga kamerat.

Pas verës së vitit 2024, kur i dyshuari u identifikua, vjedhjet me të njëjtën teknikë pushuan dhe ai nuk rezultonte më në territorin italian.

Pas arrestimit në Ciampino, 30-vjeçari u dërgua në burgun Regina Coeli, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave të mëtejshme ligjore.