Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Sokol Mjacajn dhe 11 zyrtarë të burgut të Peqinit, ndërsa një prej efektivëve të ndaluar është lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Bëhet fjalë për efektivin Vilson Shima, shefi i regjimit në burg, të cilin gjykata e ka liruar nga burgu me arsyetimin se ka një fëmijë të paralizuar. Seanca e sotme gjyqësore zgjati për rrth 6 orë. Mes zyrtarëve të akuzuar për “shpërdim detyre” që ngelën në burg është dhe drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha.
Më konkretisht janë lënë në masën “arrest me burg” zyrtarët:
-Drejtori i burgut, Kamber Hoxha 59 vjeç
-Shefi i policisë së burgut Qani Muç, 60 vjeç
-Ish-shefi i policisë së burgut Nikolin Gjonpali, 54 vjeç
-Specialisti i informacionit në sallën operative të burgut Arben Dulellari, 52 vjeç
-3 policë shërbimi Ilir Balla, 46 vjeç, Florene Mile, 43 vjeç, Fatos Pire, 50 vjeç,
-4 policë të burgut Genci Muça, 49 vjeç, Klement Haka, 44 vjeç, Erjon Çila, 36 vjeç, Indrit Dubali, 41 vjeç
Më 15 Dhjetor Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri pistoletë me mulli brenda burgut të Peqinit Arben Lleshin dhe u plagos Indrit Shaqjan. Autoritetet kanë dyshime se kemi të bëjmë me një vrasje me pagesë.
Ka dyshime se nga punonjësit e shërbimit, nuk kanë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik, në hyrje-daljet e Mjacajt nga qelia, dhe as kur ai është transferuar nga një godinë në një tjetër.
Verifikimet e para kanë zbuluar, se edhe kontrolli me skaner, ka qenë jashtë shërbimit për disa ditë, e po ashtu ka patur probleme dhe me një pjesë të kamerave të sigurisë. Vënia e skanerave jashtë përdorimit e ka “dorëzuar” sigurinë e kontrolleve tek elementi njerëzor që është i ekspozuar ndaj gabimit si për shkak të korrputimit ashtu edhe nga gabimet e mundshme.
Burime bëjnë me dije se shqetësimet për sigurinë në burgun e Peqinit kanë nisur që prej muajit tetor, edhe pse gjithçka është mbajtur larg vëmendjes së publikut, dhe pa transparencë. Si pasojë e këtyre problemeve, rreth tri javë më parë, drejtori i mëparshëm i burgut është shkarkuar. Drejtimin e burgut të Peqinit e ka marrë titullari i ri, Kamber Hoxha, që drejtonte institucioni edhe ditën e ngjarjes së rëndë.













