Pas gati 48 orësh kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i kapitenit të anijes turistike, Arben Anamali, i cili humbi jetën në përpjekje për të shpëtuar dy turistë në Liqenin e Shkodrës.
Operacioni i kërkimit vijoi për tre ditë me radhë dhe trupi u gjet mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:00. Forcat zjarrfikëse, polumbarët dhe strukturat e emergjencave civile ishin angazhuar në terren që prej momentit të aksidentit.
Sipas informacioneve paraprake, Anamali kishte ndërhyrë për të shpëtuar dy turistët që ndodheshin në rrezik në liqen, por fatkeqësisht ai vetë nuk arriti të dilte i gjallë nga uji.
Kapiteni Arben Anamali njihej për përkushtimin dhe profesionalizmin e tij në fushën e turizmit ujor në zonë. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.
