Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së martës në qytetin e Elbasanit, ku një fëmijë 6-vjeçar u raportua i zhdukur dhe më pas u gjet pa shenja jete.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 19:50, shtetasja D. A. ka lajmëruar policinë se nipi i saj, i moshës 6 vjeç, ishte zhdukur prej më shumë se tre orësh. Menjëherë pas marrjes së informacionit, forcat e rendit nisën kërkimet intensive për gjetjen e të miturit.
Rreth orës 21:30, trupi i pajetë i fëmijës u gjet pranë lumit Shkumbin, në lagjen “Çezme”. Gjatë këqyrjes paraprake të trupit, nuk janë konstatuar shenja dhune.
Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se i mituri është mbytur aksidentalisht në lumë. Megjithatë, hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore dhe vlerësim juridik të rastit.
