Fusha e mbetjeve përfshihet sërish nga zjarri, pasoja të mëdha mjedisore për Elbasanin

Ashtu si një vit më parë, një vatër zjarri filloi të shfaqej në grumbullin e madh me mbetje pranë Inceneratorit të Elbasanit. Fatmirësisht u ndal në kohë, por mund të ishte kthyer sërish në një vatër të madhe ndotjeje për banorët.
Grumbulli i mbetjeve që duket me sy të lirë, është krijuar nga akumulimi dhe mungesa e funksionimit të inceneratorit, që në fakt ka një kosto të madhe mirëmbajtje dhe funksioni nga taksat e qytetarëve të të qarkut të Elbasanit.
Kryebashkiaku më shumë se një vit më parë në prag të zgjedhjeve vendore do të deklaronte se “Inceneratori është funksional, ka pasur remontin e vet dhe mbetjet trajtohen atje sot. Është demonizuar shumë i gjithë impianti”.
https://a2neës.com/inceneratori-i-elbasanit-llatja-impianti-eshte-demonizuar-shume
Inceneratori i Elbasanit administrohet prej dhjetorit 2021 nga kompania publike Eco-Elb përmes një kontrate qiraje me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK.
Ndërkohë mosfunksionimi i impiantit është dokumentuar edhe nga një korrespondenca midis këshilltarëve të Këshillit Bashkiak, përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë aksionere sh.a.
Në dhjetor 2023, kompania Eco-Elb deklaroi në një përgjigje me shkrim për këshilltarët e opozitës se sasia e mbetjeve të depozituara në landfill e ka tejkaluar kapacitetin e këtij të fundit, duke krijuar një tjetër problematikë që investimi tek inceneratori do të duhet ta eleminonte. Në dokument theksohet specifikisht se “Sasia e mbetjeve që nuk trajtohet depozitohet në landfill. Kapaciteti i landfillit është tejkaluar, pa llogaritur këtu sasinë e mbetjeve ekzistuese para nënshkrimit të kontratës së qirasë, midis shoqërisë sonë me AAPSK”.
Ndërkohë për funksionimin e impiantit kompania Eco-Elb sh.a ka zhvilluar në korrik të vitit 2023 edhe një tender të majmë për blerje karburanti naftë per nevojat e impiantit te perpunimit të mbetjeve. Në këtë tender ka munguar konkurenca dhe është fituar në gati 100% të vlerës së vënë në dispozicion prej 18 890 mijë lekësh në një vit blerje karburanti.
https://openprocurement.al/en/pcompany/vieë/id/9717/isbashki/0
Sipas përgjigjes së Eco-Elb këshilltarëve të djathtë, impianti harxhonte mesatarisht 8.3 litra karburant në orë dhe nëse do të punonte pa ndërprerje gjatë gjithë vitit, do të shpenzonte rreth 72 mijë litra me një kosto prej 13.5 milionë lekësh.
A ka funksionuar në të vertetë impianti?
Kontrata midis bashkisë dhe shoqërisë Eco-elb sh.a është që bashkia i paguan për shërbimin Eco-elb 2500 lekë/ton dhe në këtë vlerë shërbimi janë të përfshira tre procese grumbullimi, trajtimi dhe incenerimi.
Por në përgjigjen që Eco Elb i ka kthyer këshilltarëve mësohet se incerenimi i mbetjeve ka funksionuar me hope gjatë vitit 2023 ndërkohë që nuk ka asnjë informacion për vitin 2024. “Gjatë peridhës prill-shtator 2023 janë shfaqur defekte, të cilat kanë çuar deri në fikje të detyruar të impinatit. Në këto rrethana sasia e mbetjeve që nuk trajtohet depozitohet në lendfill. Kapaciteti është tejkaluar pa llogaritur sasinë e mbetjeve ekzisutese në lendfill”.

Puna për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë nisi në mars të vitit 2015. Rreth dy vite më vonë, në 18 prill të 2017-ës u bë edhe inagurimi i inceneratorit nga kreu i qeverisë.
Inceneratori i Elbasanit administrohet prej dhjetorit 2021 nga kompania publike Eco-Elb përmes një kontrate qiraje me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se që nga vënia në punë, inceneratori ka shfaqur vazhdimisht problematika.
Gjatë vitit 2022 impianti ka funksionuar rreth 24 ditë. Për vitin 2023 ndezja e impiantit u realizua përgjatë muajve prill-shtator, ndërsa defektet e shfaqura kanë shkaktuar fikje të detyrueshme të impiantit.
Për ekspertët e mjedisit situata paraqitet problematike, ndërsa temperaturat kërcënojnë shpërthime zjarresh në vendgrumbullimet e mbetjeve urbane.
“Këto male me mbetje prej kohësh duhet të përpunoheshin duke u ndarë për t’i ricikluar dhe të shmangej situata aktuale, që vazhdon të keqësohet”- thotë Ahmet Mehmeti, ekspert i mjedisit në Elbasan.
Mehmeti thotë se me këto temperature mbetjet rrezikojnë të ndizen dhe si pasojë mjedisi përqark të përfshihet nga gazra si dioksinat e furonet, tymrat e blozat që venë në rrezik shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit në tërësi.
Për qytetarët situata e mbetjeve të grumbulluara ka nevojë të menjëhershme për ndërhyrje, ndërsa temperaturat e larta mund të bëhen shkak për krijimin e vatrave të reja të zjarrit.
“Plehrat rrezikojnë të marrin flake në këto temperature dhe duhet të marren masa të menjëhershme në kontrollin e vazhdueshëm. Ndezja përsëri e tyre do të ishte katastrofike për mjedisin”- shprehet Fadili, një burrë rreth të gjashtëdhjetave i cili jeton rreth 1 km në vijë ajërore duke parë me sy të lirë malin e krijuar nga grumbullimi i mbetjeve në landfillin e ri të Elbasanit. Banorët përreth ndërsa shikojnë mbetjet, thonë se përsëritja e situatë së një viti më parë do të ishte kastrafë për ta që janë më afër dhe për të gjithë qytetin.