Fshati Kodër Bujaras pa ujë e drita, banorët të lënë në harresë

Fshati Kodër Bujaras i Njësisë Administrative Gjergjan në Elbasan, prej kohësh është lënë në harresë nga organet e pushtetit vendor.

Rruga në hyrje të fshatit është thuajse e pamundur për t’u kaluar për shkak të gropave. Në kohë rreshjesh kthehet në një burim aksidentesh pasi janë të shumtë automjetet që kanë rreshqitur.
Kjo rrugë e cila lidh fshatin Bujaras me Kodër Bujaras është afro 8 km e gjatë dhe prej më shumë se 30 vitesh nuk ka pasur asnjë lloj investimi.
Banorët që detyrohen të kalojnë çdo ditë në këtë rrugë shprehen se askush nga bashkia nuk ka ardhur për të dhënë në zgjidhje. Veç vështirësive për të udhëtuar, drejtuesit e automjeteve ankohen se për shkak të amortizimit total të rrugës, u dëmtohen automjetet.


“Kjo rrugë është shumë e keqe, sidomos për mua që jam shofer dhe duhet te kaloj çdo ditë. Shteti të verë dorë se premtimet janë bërë të gjitha”- shprehet një banor i zonës.
Një tjetër banore e fshatit thotë se në raste emergjente është shumë e vështirë të gjesh makinë për shkak të rrugës. “M’u desh të shkoja në spital para disa ditësh dhe mezor kam gjetur makinë se s’të vjen njeri me këtë rrugë”- shprehet ajo.


Një tjetër problematikë e banorëve të kësaj zone është edhe qendra shëndetësore e cila prej 7 vitesh është pa ujë e drita.
“Ambulanca që prej ndërtimit ka funksionuar pa ndriçim edhe pse shtylla është jo më shumë se 7 m larg qendrës shëndetësore”- shprehen banorët.


Ndarja e re territoriale, në këtë zonë ka sjellë një tjetër problematikë, fshati është i ndarë në dy bashkitë Elbasan dhe Cerrik dhe banorët nuk dinë ku të drejtohen për të kërkuar zgjidhje të problemit.