Nga Entela Duka
Me qytete të stolisura kuqezi dhe ceremoni festive Shqipëria përkujton çdo vit Pavarësinë dhe Çlirimin. Por ndër vite këto ceremoni festive kanë ndryshuar deri diku edhe zbehur. Shumë prej qytetarëve i shfrytëzojnë festat kombëtare për tu çlodhur apo takuar të afërmit e tyre jashtë. Agjencitë turistike konfirmojnë se edhe këtë vit interesi për t’i kaluar festat e nëntorit jashtë vendit është i lartë. Më së shumti elbasanasit preferojnë Italinë, Pragën, dhe Turqinë.
Kjo është një periudhë kur dyqanet e suvenirëve shpresojnë të kryejnë më shumë shitje. Më së shumti ata thonë se blejnë emigrantët, sesa turistët që vizitojnë qytetin.
Jo vetëm qytetarët kanë ndryshuar qasjen e tyre për të festuar Pavarësinë dhe Clirimin, por edhe organizimet nga institucionet lokale janë bërë më të vakta. Në Elbasan me 28 dhe 29 nëntor janë parashikuar të mbahen vetëm dy aktivitete.
Elbasani ishte qyteti i parë që shpalli Pavarësinë më 25 nëntor 1912, një ditë e rëndësishme , e cila do ti hapte rrugë shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor në Vlorë.
