Një shtetas shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në Arezzo, Itali.
Sipas mediave të huaja, viktima është identifikuar si Gjergj Pergegaj, 30 vjeç, i cili humbi jetën pas disa të shtënave me armë zjarri pranë zonës Bivio di Olmo, në jug të qytetit.
Ngjarja ndodhi pak para mesnatës pranë një bari dhe restoranti, pas një konflikti që dyshohet të ketë nisur brenda lokalit. Gjatë përplasjes, një tjetër shtetas shqiptar, rreth 35 vjeç, nxori një pistoletë të padeklaruar dhe qëlloi disa herë në drejtim të viktimës.
I riu u plagos rëndë, ndërsa autori u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes me një automjet, duke tentuar t’i shpëtojë policisë. Shërbimet e emergjencës dhe forcat e rendit mbërritën menjëherë në vendngjarje, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 30-vjeçari nuk mundi të mbijetojë, pasi kishte marrë plagë fatale në qafë.
Autoritetet italiane nisën ndjekjen e autorit, i cili u arrestua në orët e para të mëngjesit në banesën e tij pranë zonës. Motivet e krimit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet janë në vijim. Dyshohet se konflikti mund të ketë lidhje me një çështje personale, por kjo pistë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.













