BRITANI- Një i ri shqiptar është goditur për vdekje me thikë nga kushëriri i tij në Leeds të Britanisë së Madhe. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes tyre, pak para orës 16:30 të premten, më 29 gusht.
Sipas mediave britanike, Elsiado Marku, 26 vjeç, pas goditjes me thikë u shpall i vdekur në vendngjarje. Ndërkohë, kushëriri i tij, Eljon Markaj, 31-vjeç, akuzohet si autori i ngjarjes së rëndë.
Një zëdhënës i Policisë së West Yorkshire tha: “Eljon Markaj, 31 vjeç, është lënë në paraburgim për t’u paraqitur para Gjykatës së Magjistraturës së Leeds sot (e hënë, 1 shtator). Markaj, është akuzuar gjithashtu për posedim të një arme sulmuese në një vend publik.” Policia britanike ka bërë thirrje që kushdo që ka informacion mbi rastin të kontaktojë me autoritetet.
