Elbasani nuk ka infeksionistë dhe vetëm një pneumolog, qendra spitalore më e madhe me mungese specialistësh

Tirana vazhdon të jetë qarku që ka numrin më të lartë të spitaleve dhe të shtretërve spitalorë. Kjo lidhet jo vetëm me numrin e lartë të popullsisë në këtë rajon, por dhe me përqendrimin e shërbimeve spitalore universitare në funksion të popullsisë për të gjithë vendin. Për sa i takon burimeve njerëzore, sistemi shëndetësor publik vuan nga numri i pamjaftueshëm i profesionistëve. Raporti mjekë për banorë është 1.2:1000 dhe raporti mami/infermierë për banorë është 3.6:1000. Burimet njerëzore në shëndetësi janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Mjekët specialistë janë përqendruar në Tiranë dhe në disa qytete të mëdha.

Referuar të dhënave nga Urdhri i Mjekut të Shqipërisë, aktualisht numri i përgjithshëm i mjekëve të regjistruar pranë UMSH-së është 6315. Në këtë numër janë përfshirë të gjithë mjekët që ushtrojnë profesionin në Republikën e Shqipërisë, të gjithë mjekët që janë larguar nga Shqipëria, por që nuk janë çregjistruar, mjekët pensionistë që nuk e ushtrojnë profesionin, si dhe mjekët e huaj.

Për trajtimin e pacientëve me COVID-19 është i nevojshëm një ekip multi-disiplinar mjekësh i përbërë nga pneumologu, kardiologu, reanimatori (për komplikacionet dhe trajtimin në reanimacion) dhe infeksionisti; Pasja e vetëm një specialisti ose mungesa e tij çon në cilësi të ulët të trajtimit mjekësor ose mungesë të këtij trajtimi.

  • Spitalet e Kukësit dhe Gjirokastrës nuk kanë mjekë infeksionistë
  • Spitalet e Beratit, Dibrës, Elbasanit dhe Kukësit deklarojnë praninë e vetëm një pneumologu
  • Spitalet e Beratit, Dibrës dhe Gjirokastrës kanë vetëm nga një reanimator

Këto të dhëna u prezantuan ditën e djeshme në një takim të zhvilluar nga Shoqata “Together for Life”, në prezantimin e raport studimor mbi kapacitetet infrastrukturore dhe të burimeve njerëzore, të spitaleve rajonale. Raporti theksoi se spitalet e Shqipërisë kanë aktualisht 31 shtretër për 10 mijë banorë dhe 1 mjek për 1 mijë banorë.