Elbasan/ Operacioni “Risku”, arrestohet 30-vjeçari që shpërndante drogë dhe armë, procedohet babai i tij

Elbasan – Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Risku”, ku është arrestuar një 30-vjeçar dhe është proceduar penalisht babai i tij, pas një aksioni kundër shpërndarjes së narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje në qytetin e Elbasanit.

Në kuadër të operacionit, punonjësit e Policisë së Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Komisariatin e Policisë Peqin, kanë ndaluar shtetasin E. S., 30 vjeç, i cili nuk i është bindur urdhrit për ndalim dhe ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë. Pas një ndjekjeje të shpejtë, ai është kapur dhe arrestuar.

Gjatë kontrollit të banesës së tij dhe të babait të tij, shtetasit F. S., 67 vjeç, policia ka gjetur dhe sekuestruar 630 gramë cannabis, një sasi kokainë, 3 armë gjahu, 2 armë të ftohta (thika), 1 armë sportive, 55 fishekë, sasi baruti për mbushjen e fishekëve, një palë dylbi dhe një detektor metal-kërkues.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit për veprime të mëtejshme, ndërkohë që babai i 30-vjeçarit është proceduar penalisht për përfshirje në aktivitetet kriminale.

Policia e Elbasanit vijon angazhimin e saj në luftën kundër veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, duke siguruar rendin dhe sigurinë për qytetarët.