Elbasan – Arrestime dhe procedime penale për disa raste të shkeljeve ligjore

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka bërë me dije disa raste të ndodhura gjatë 24 orëve të fundit, për të cilat janë marrë masa ligjore nga strukturat përkatëse.

Aksident në gjendje të dehur – një i arrestuar

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin G. A., 49 vjeç, i cili, pasditen e djeshme, në aksin rrugor “Belsh–Shkozë”, duke drejtuar një kamion në gjendje të dehur, humbi kontrollin e mjetit dhe për pasojë kamioni doli nga rruga. Si rezultat i aksidentit, mbeti i dëmtuar pasagjeri, shtetasi G. R., 69 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Adoleshent pa patentë në rrugë

Po nga këta specialistë, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për një 14-vjeçar, i cili u kap duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi.

Procedime për ndërtim pa leje dhe dhunë në familje në Elbasan

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan në Prokurori rastet e mëposhtme:

Shtetasi I. N., 53 vjeç, u procedua pasi u kap duke kryer punime ndërtimi në pronën e tij, në kundërshtim me ligjin.

Shtetasi D. D. u procedua penalish për ushtrim dhune ndaj bashkëshortes së tij, e cila është pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Kanosje në Gramsh

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet për shtetasin A. M., 40 vjeç, i cili akuzohet për kanosje ndaj shtetasit L. A., 44 vjeç, për motive të dobëta.

Të gjitha materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore.