Elbasan – 19-vjeçari thyen masën e “arrestit në shtëpi”, vjedh automjet dhe kapet në Tiranë

Një 19-vjeçar, me masë sigurie “arrest në shtëpi” për vjedhje të mëparshme, është ndaluar nga Policia pas një tjetër shkeljeje të rëndë të ligjit.

Sipas njoftimit zyrtar, i riu me inicialet E. B., banues në Elbasan, ka dalë në mënyrë të paligjshme nga banesa gjatë natës dhe ka vjedhur një automjet tip “Benz” në lagjen “Emin Matraxhiu”. Pas kallëzimit të bërë nga pronarja e mjetit, shërbimet e Komisariatit të Elbasanit, në bashkëpunim me Policinë e Tiranës, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e tij në rrugën “Kastriotët” në kryeqytet, në kuadër të operacionit policor të koduar “Cooperation”.

Gjatë ndalimit, rezultoi gjithashtu se i riu po drejtonte mjetin pa leje drejtimi.

Pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, ndaj tij u mor masa e arrestit në flagrancë për veprat penale:

“Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”

“Vjedhja”

“Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”

Automjeti i vjedhur u sekuestrua si provë materiale dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme procedurale.