ELBASAN- Seanca për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë lidhur me masën e sigurimit ndaj Nevzat Spaho, i dyshuar si autor i vrasjes së Mondi Mëhallës do të mbahet sot në orën 10:30 në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. Objekti i kërkesës është “Vlerësim i ndalimit, caktim mase sigurimi”, ndërsa seanca do të mbahet me dyer të mbyllura.
Ndërkohë ditën e djeshme, Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për Xhino Agon, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla mbrëmjen e 30 nëntorit në Elbasan. Po ashtu në burg është lënë edhe roja i karburantit Kujtim Pisha i akuzuar për moskallëzim të krimit.
Ekzekutimi i biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan/ Lihet në burg ortaku Xhino Ago dhe roja Kujtim Pisha! Seanca nën masa të rrepta sigurie
Si ndodhi ngjarja?
Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.
Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.
Gjithashtu automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.
Atentatorët pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë larguar me Audin e zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.













