KRUJË- Automjeti tip “Toyota Yaris” që dyshohet se u përdor nga autorët e atentatit me një të vrarë dhe një të plagosur në Rinas, është gjetur i djegur në fshatin Halil të Krujës. Sipas burimeve, autorët e kanë lënë makinën pranë një përroi, në një zonë të pyllëzuar, duke tentuar të fshihnin gjurmët e ngjarjes.
Sakaq mësohet se në vendngjarje ndodhen forca të shumta policie, të cilët kanë krijuar një perimetër sigurie për të mbrojtur zonën dhe për të nisur hetimet. Dyshohet se brenda automjetit mund të ketë armë, por efektivët nuk janë afruar ende, pasi flakët rrezikojnë shpërthimin e municionit.
Grupi hetimor po vijon me verifikimet dhe mbledhjen e provave për të identifikuar autorët dhe lidhjen e makinës me atentatin e ndodhur pak orë më parë.
Gilmando Dani u vra sot në një atentat të qëllimshëm pak minuta pasi mbërriti në Shqipëri nga Barcelona. Burime për mediat bëjnë me dije se Dani ishte pritur në aeroportin e Rinasit nga Muçi Shaljani, i njohur si “Sheqeri”, me drejtonte automjetin tip “Mercedes Benz S”, i cili kishte për detyrë ta shoqëronte me automjet.
Pak metra pas largimit nga aeroporti, dyshohet se autorët i kanë zënë në pritë dhe kanë hapur zjarr me breshëri plumbash ndaj automjetit, duke shkaktuar vdekjen e Danit dhe plagosjen kritike të Shaljanit. Mësohet se autorët kanë patur informacion për lëvizjet e objektivit dhe e kanë pritur pranë shënjestrën tek rrethrrotullimi.













