KORÇË- Detaje të reja vijojnë të dalin nga ekzekutimi i biznesmenit në Elbasan Edmond Hyka alias Mondi Mahalla. Bëhet me dije se me tepër se katër postblloqe janë ngritur në Korçë, Pogradec e Devoll pas ngjarjes ku mbeti i vrarë 43-vjeçari.
Direktivat që oficerët e policisë kanë marrë është kontrolli i mjeteve Audi me ngjyrë të zezë, pasi dyshohet se pas ngjarjes autorët e vrasjes të kenë lëvizur drejt Librazhdit ndaj juglindja mbetet një “derë” kryesore në rast se do duan të kalojnë drejt Greqisë. Gjithashtu bëhet me dije se kontrolli do të vijojë edhe për personat që disponojnë armë pa leje apo mjete të tjera të ndaluara.

Si ndodhi ngjarja?
Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka alias Mondi Mahalla u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit. Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij.
Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa janë bërë kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.
Gjithashtu automjeti i përdorur nga ekzekutuesit dyshohet të ketë qenë një Audi me ngjyrë të zezë, i cili është larguar me shpejtësi në drejtim të aksit rrugor Elbasan–Librazhd.
Atentatorët pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë larguar me Audin e zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd. Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.














