TIRANË – Eduard Vushaj 39 vjeç është ekstraduar sot nga Greqia drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare. Gjykata e Shkodrës e ka dënuar Vushajn më parë, me 16 vite burg për veprën penale “Vjedhja me armë”.
39-vjeçari me origjinë nga Shkodra, në vitin 2013 në bashkëpunim me një person tjetër ka kërcënuar dhe vjedhur makinën dhe paratë e dy personave, që ndodheshin në automjetin e ndaluar nga Vushaj. Më pas ai i ka plagosur me thikë të dy personat. Pas mbërritjes në territorin vendas, Eduard Vushaj pritet të përballet me drejtësinë.
Njoftimi i Policisë
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet strukturave të Interpol Tiranës dhe strukturave të Interpol Athinës, u finalizua procedura për ekstradimin nga Greqia, në Shqipëri, të shtetasit Eduard Vushaj, 39 vjeç, të lindur në Shkodër. Ky shtetas kërkohej ndërkombëtarisht, sepse në vitin 2016, Gjykata e Shkodrës e ka dënuar me 16 vjet burgim, për veprën penale “Vjedhja me armë”.
Në vitin 2013, në fshatin Grabom, ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka ndaluar automjetin me të cilin lëviznin 2 shtetas, të cilëve, duke i kanosur me armë, iu kanë marrë paratë dhe automjetin. Gjithashtu, i ka plagosur të dy, me mjet prerës (thikë).
