Eksploziv makinës së inspektorit të tatimeve në Shkodër. Shpërthimi ndodhi sapo ndezi mjetin

SHKODËR, 28 TETOR 2025

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur paraditen e sotme qytetin e Shkodrës, duke plagosur një 38-vjeçar. Sipas informacioneve të para, ngjarja ndodhi rreth orës 11:35, në lagjen “Ndoc Mazi”, në momentin që shtetasi E. B. ndezi automjetin e tij, brenda të cilit ishte vendosur një sasi lënde plasëse.

Nga shpërthimi, E. B. ka mbetur i plagosur dhe është dërguar menjëherë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Automjeti është dëmtuar rëndë, ndërsa forcat e policisë kanë rrethuar zonën për të kryer veprimet hetimore.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes. Ndërkohë, hetimet paraprake po verifikojnë nëse sulmi ka lidhje me detyrën e të plagosurit, që dyshohet të jetë punonjës i Tatimeve, apo me konflikte të tjera personale.

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 11:35, në lagjen “Ndoc Mazi”, në momentin që shtetasi E. B. ka ndezur automjetin e tij, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në automjet.

Si pasojë është dëmtuar shtetasi E. B., 38 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.