E trishtë! Ndërron jetë duke luajtur volejboll 20-vjeçari në Dhërmi. Emri

Dhërmi, 15 Korrik 2025 – Pushimet në bregdetin shqiptar kanë përfunduar në tragjedi për një të ri nga Kosova. Anid Hoxha, 20 vjeç, nga Rahoveci, ka ndërruar jetë papritur pasditen e së dielës teksa po luante volejboll në një fushë sportive pranë një plazhi në Dhërmi.

Ngjarja ka ndodhur më 14 korrik dhe, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, dyshohet se i riu ka humbur jetën për shkaqe natyrale. Ai ndodhej në Shqipëri për pushime, së bashku me shoqërinë e tij.

“Specialistët e Stacionit të Policisë Dhërmi kanë referuar materialet për vlerësim. Shtetasi A.H., 20 vjeç, banues në Kosovë, dyshohet se ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale në fushën e volejbollit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se trupi i të ndjerit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku do të kryhet autopsia për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.

Lajmin e hidhur e ka konfirmuar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen dhe miqtë e Anidit përmes një postimi në rrjetet sociale:

“Kjo humbje e papritur na preku thellë të gjithëve… Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hoxha, miqtë dhe për të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë. Qoftë i lehtë dheu për Anidin!”

Ngjarja ka tronditur komunitetin në Rahovec dhe më gjerë, ku i riu njihej si një djalë i qetë, i dashur dhe i respektuar.