E rëndë/ Vritet me plumb në kokë dhe mbulohet me rërë 25-vjeçari shqiptar në Itali

ITALI- Trupi i pajetë i një 25-vjeçari shqiptar, banues në Santa Vittoria d’Alba (Cuneo), është gjetur pasditen e së premtes në një parcelë toke në anë të rrugës Chivola. Sipas mediave italiane, i riu u gjet pranë një automjeti tip “Lancia Ypsilon” me ngjyrë të zezë, që dyshohet të ketë qenë në pronësi të tij.

Torinotoday bën me dije se, ka qenë një drejtues mjeti që kalonte rastësisht në zonë ai që ka konstatuar trupin dhe ka njoftuar menjëherë policinë. Ndërkohë, autoritetet nuk kanë dhënë ende një konfirmim zyrtar mbi shkaqet e vdekjes, por dyshohet se 25-vjeçari është qëlluar me një plumb në kokë.

Gjithashtu arma nuk është gjetur në vendngjarje dhe trupi është gjetur i mbuluar pjesërisht me rërë, çka shton dyshimet për një vrasje. Sakaq, hetimi për incidentin po kryhet nga oficerë të karabinierëve të kompanisë së qytetit dhe njësia hetimore e komandës provinciale të Cuneos, të koordinuar nga prokurorja publike Sara Paterno e Zyrës së Prokurorit të Asti-t.