E rëndë në Himarë! 35-vjeçari merr p*eng prindërit, ndërhyn Policia

Policia e Himarës ka ndërhyrë për të parandaluar një ngjarje të rëndë familjare, ku një 35-vjeçar kishte mbajtur peng prindërit e tij në banesë, nën kërcënimin e një mjeti prerës.

Ngjarja ka ndodhur në Himarë, ku shtetasi Spiro Dhimaleksi, në gjendje të rënduar psikologjike, kishte izoluar në një dhomë prindërit e tij, përkatësisht 60 dhe 65 vjeç, duke i kërcënuar me thikë se do t’i vriste.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur negociatat me 35-vjeçarin.

Pas më shumë se një ore negociatash intensive, një efektiv i policisë, banor i zonës, ka arritur të komunikojë drejtpërdrejt me autorin, duke ndikuar në uljen e tensionit.

Në momentin e ndërhyrjes, 35-vjeçari ka tentuar të dëmtojë veten me mjetin prerës, duke shkaktuar plagë në zonën e barkut.

Punonjësit e policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke e neutralizuar dhe duke i hequr mjetin prerës, çka bëri të mundur shpëtimin e dy prindërve pa lëndime.

Më pas, 35-vjeçari është shoqëruar fillimisht në Komisariatin e Policisë Himarë dhe më tej në Vlorë, ku ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin rajonal, si dhe është referuar për trajtim në shërbimet psikiatrike.

Ndërkohë, prindërit e tij janë marrë në pyetje nga autoritetet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.

Policia njofton se falë ndërhyrjes profesionale dhe negociatave të kujdesshme, u bë e mundur shmangia e një tragjedie të mundshme.