Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Durrësit, ku një 33-vjeçare dyshohet se ka braktisur tre fëmijët e saj të mitur në banesën ku jetonin.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.
Procedimi penal u iniciua pas kallëzimit të shtetases D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë të vetëm në banesë tre fëmijët e mitur, rast që u publikua edhe në rrjetet sociale.
Pas verifikimit të situatës, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, bënë të mundur marrjen në mbrojtje të tre fëmijëve. Ata u transportuan fillimisht në spital për ekzaminime mjekësore dhe më pas u sistemuan nën kujdesin e Qendrës së Mbrojtjes së Fëmijëve në Durrës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”. Procedimi penal nisi pasi ditën e sotme, rreth orës 17:20, është paraqitur shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte, rasti i publikuar dhe në rrjete sociale.
Nga ana e shërbimeve të Policisë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, u bë e mundur marrja në mbrojtje e tre fëmijëve, të cilët u dërguan në spital për ekzaminime mjekësore dhe më pas u morën në kujdes nga Qendra e Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”













