Dy makina përplasen kokë më kokë, plagosen drejtuesit

Durrës, 16 Mars 2025

Një aksident i rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Kodrën e Rrushbullit, në Durrës, ku dy automjete janë përplasur kokë më kokë, duke lënë të plagosur dy drejtuesit e mjeteve. Në aksident janë përfshirë një automjet tip “Volkswagen” dhe një tjetër tip “Ford”.

Si pasojë e përplasjes, të dy drejtuesit janë transportuar me urgjencë në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Për shkak të goditjes së fortë, drejtuesi i mjetit “Ford” ka mbetur i bllokuar brenda automjetit të dëmtuar rëndë. Pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, është bërë e mundur nxjerrja e tij nga makina dhe dërgimi për trajtim të specializuar.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa paraprakisht dyshohet se përplasja ka ardhur si pasojë e shpejtësisë së lartë ose një manovre të gabuar. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim te banorët dhe drejtuesit e tjerë të mjeteve që qarkullojnë në këtë aks rrugor.