Përmes rreshtave ata kanë përshkruar momentet e tmerrit ku i duhej që të luftonin me kohën për të shpëtuar të aksidentuarit.
Mësohet se fillimisht nga mjeti është nxjerrë mësuesja, ndërsa më pas, pas më shumë se një ore përpjekjesh është nxjerrë edhe shoferi.
“Ditën e djeshme, shërbimi ynë zjarrfikës u përball me një nga operacionet më të vështira dhe më të dhimbshme në rrugën Gramsh-Poroçan. Një kamion me tonazh të lartë kishte dalë nga rruga dhe ishte rrokullisur në një shpat pylli me pjerrësi të madhe, duke sfiduar çdo përpjekje njerëzore për të fituar kohë ndaj fatit. Brenda mjetit ndodheshin tre jetë: shoferi, një mësuese dhe një infermiere. Mes terrenit të ashpër, heshtjes së rëndë dhe minutave që dukeshin si orë, filloi beteja për t’i nxjerrë një nga një. Fillimisht u shpëtua mësuesja dhe u nis me urgjencë drejt spitalit. Më pas, pas më shumë se një ore përpjekjesh të pandërprera, duke prerë pjesë të kabinës mes llamarinave dhe hekurit të shtrembëruar, u nxor edhe shoferi. Së fundmi, sytë dhe shpresat u drejtuan tek infermierja, e mbetur në një pozicion tepër të vështirë. U gërmua nga poshtë kamionit, me duar që dridheshin nga lodhja dhe zemra që rrihte fort nga shpresa. Por për fat të keq, ajo u gjet pa shenja jete. Një humbje që na preku të gjithëve”, thuhet në reagimin e Shërbimit Zjarrfikës të Gramshit.
Kujtojmë se një aksident tragjik u regjistrua pasditen e së hënës në aksin Kabash-Poroçan, në territorin e bashkisë Gramsh, ku si pasojë humbi jetën infermierja e zonës dhe mbetën të plagosur dy shtetas të tjerë.
Pranë fshatit Bardhan, një mjet tip kamion doli nga rruga dhe si pasojë përfundoi në humnerë.
Fatkeqësisht ky aksident rezultoi të ishte fatal për infermieren Dëshira Hoxha, e cila nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra.
Ndërsa, mësuesja Albana Boja dhe shoferi i mjetit mbetën të plagosur dhe aktualisht ndodhen në spital, në gjendje kritike.
Lidhur me këtë aksident tragjik ka ardhur dhe një reagim nga Forcat zjarrfikëse të Gramshit, të cilët u përballën me kushte ekstreme, duke ndërhyrë në një zonë pyjore të thellë dhe me një terren të rrezikshëm.
Fatkeqësisht, infermierja u gjet pa shenja jete, duke lënë pas dhimbje të thellë te kolegët, familja dhe komuniteti.
Kjo ngjarje tragjike ka tronditur veçanërisht shërbimin shëndetësor në Gramsh, ku Dëshira Hoxha njihej për përkushtimin dhe humanizmin e saj në shërbim të qytetarëve të cilët jetonin në zona të thella malore.
Humbja e saj, teksa kthehej nga detyra, konsiderohet një plagë e rëndë jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet dhe banorët që ajo i shërbeu pa u lodhur dhe pa thënë asnjëherë “nuk mundem”.














