Dorëhiqet Arben Cara, largohet nga detyra kreu i Shërbimit Zjarrfikës në kulmin e zjarreve

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, në një moment kur vendi po përballet me një situatë të rënduar për shkak të zjarreve të shumta.

Sipas burimeve, Cara e ka paraqitur dorëheqjen një ditë më parë, ndërsa sot është firmosur edhe urdhri për largimin e tij nga detyra.

Arsyet e dorëheqjes mbeten ende të paqarta, ndërsa largimi vjen në kulmin e sezonit të zjarreve, kur dhjetëra vatra janë raportuar në zona të ndryshme të vendit dhe strukturat zjarrfikëse janë të angazhuara në terren.

Cara drejtonte Shërbimin Zjarrfikës prej vitit 2024 dhe gjatë ditëve të fundit ka qenë i angazhuar publikisht në raportimin dhe koordinimin e situatës së zjarreve.

Deri në momentin e raportimit, nuk është bërë i ditur emri i personit që do ta pasojë në drejtimin e Shërbimit Zjarrfikës.