ELBASAN – Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Elbasan-Peqin, në zonën e Përparimit.
Sipas informacioneve paraprake, një kamionçinë është përplasur me një autobus. Përplasja ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në të dyja mjetet, ndërsa kamionçina ka përfunduar në kanal në anë të rrugës.
Aksidenti ka shkaktuar panik te pasagjerët e autobusit, të cilët pas përplasjes kanë dalë në rrugë. Nga të dhënat paraprake, nuk raportohet për persona të lënduar.
Në vendngjarje ka mbërritur një autoambulancë, ndërsa shërbimet e Policisë kanë nisur veprimet për normalizimin e qarkullimit dhe dokumentimin e ngjarjes.
Autoritetet po punojnë për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, si dhe për të zbardhur dinamikën e plotë të përplasjes.





