Doli në mal të kërkonte qenin, zhduket pa gjurmë 56-vjeçari në Elbasan

Një 56-vjeçar nga fshati Pashtresh, në Njësinë Administrative Gjinar të Elbasanit, rezulton i zhdukur që prej mëngjesit të sotëm.

Familjarët e Pëllumb Toçit kanë treguar se 56-vjeçari ka shkuar në mal për të kërkuar qenin që ruante bagëtitë, i cili kishte humbur në zonën malore, por ka humbur edhe vetë.

56-vjeçari ende nuk është kthyer në banesë dhe familjarët të shqetësuar, kanë njoftuar menjëherë Policinë e Elbasanit. Dyshimet paraprake janë se 56-vjeçari mund të ketë rrëshqitur dhe rënë në një nga kanionet e thella të Valëshit, një zonë me terren të vështirë dhe të rrezikshëm për këmbësorët.

Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë, ekipi i Kërkim-Shpëtimit Malor dhe banorë të zonës, të cilët po marrin pjesë në operacionin e kërkimit. Për momentin kontrollet po përqendrohen në kanionet dhe zonat përreth ku qeni mund të ketë humbur, ndërsa terreni i thyer dhe i pyllëzuar e vështirëson ndjeshëm ndërhyrjen.

Familjarët e Toçit kërkojnë ndihmën e autoriteteve dhe të vullnetarëve për të intensifikuar kërkimet, pasi çdo orë që kalon pa gjurmë të tij e bën situatën më shqetësuese.