“Do të shk****ej robt” – Infermierja në Spitalin Psikiatrik dhunon pacienten, reagon QSUT

Një ngjarje tronditëse është bërë publike së fundmi brenda një spitali psikiatrik në Tiranë, ku dyshime të forta janë ngritur mbi mënyrën se si trajtohen pacientët në repartet e shëndetit mendor.

Në pamjet e postuara së fundmi nga JOQ, shihet mënyra barbare se si stafi mjekësor brenda këtij institucioni trajton pacientët.

Sipas kësaj video pacientja refuzon të marrë medikamentet duke pretenduar se është shtatzanë, ndërkohë që infermierja, identiteti i të cilës ende nuk dihet, dëgjohet t’i kthehet me tone të ashpra dhe fjalë fyese, sjellje që bie ndesh me etikën profesionale dhe standardet që duhet të karakterizojnë institucionet shëndetësore.

“Çohu o dreq, mos na bëj si e sëmurë. Je me barrë? Ec se po të shk****ej robt”, dëgjohet t’i thotë infermierja pacientes.

QSUT ka bërë një reagim ndërkohë, pas publikimit të rastit.

“QSUT ka ndjekur me shqetësim videon e publikuar në mediat online, ku shfaqet një rast i papranueshëm i cenimit të etikës profesionale në një prej shërbimeve mjekësore.

Menjëherë pas verifikimeve të kryera, është identifikuar punonjësja e përfshirë dhe janë nisur procedurat për marrjen e masave administrative dhe disiplinore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

QSUT mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar kujdes shëndetësor dinjitoz, profesional dhe etik për çdo pacient që paraqitet në shërbimet tona. Çdo shkelje e kodit të etikës, çdo sjellje që cenon dinjitetin e pacientit apo besimin ndaj shërbimit shëndetësor, është dhe do të mbetet e patolerueshme” – thuhet në reagimin e QSUT-së.