SERBI- Një familje shqiptare nga Gostivari, burrë e grua dhe djali i tyre i mitur janë ndaluar në Serbi mbrëmjen e kaluar nga policia. Afër Beogradit, një patrollë e policisë së Serbisë ka ndaluar makinën e shqiptarit nga Gostivari, ndërsa i kanë marrë në stacion të policisë vetëm sepse djali i tyre i mitur, ka pasur të vesh një bluzë me shqiponjë.
Policia kishte mbajtur peng familjen shqiptare në polici, ndërsa para gjykatës e ka nxjerrë nënën e djalin, S.B, e cila është dënuar me 30.000 dinarë si dhe është shpallur “person non grata” deri në vitin 2031. Gruaja nuk është lëshuar derisa ka paguar gjobën në para dhe kur e ka firmosur vendimin gjyqësor, me të cilën asaj i ndalohet hyrja në territorin serb për 7 vitet e ardhshme.
Për rastin ka reaguar ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja. Ai ka thënë se kjo është e tmerrshme, por ka deklaruar se s’është i habitur.
“Një shqiptare u ndalua dhe u detyrua të paguante gjobë në Serbi vetëm se djali i saj nëntëvjeçar kishte një bluzë me shqiponjën kuq e zi. Vërtetë e tmerrshme, por jo e habitshme për shumë prej nesh, përveç atyre që ende besojnë në politikën paqësore të Vuçiçit”, ka shkruar Qehaja në Twitter të enjten.













