Digjet trageti mes Shqipërisë dhe Greqisë/ Udhëtonte drejt Italisë me 239 pasagjerë

Pamjet e transmertuara nga mediat greke treguan mjetin 183 metra të gjatë të pushtuar nga zjarri dhe shtëllungat e mëdha të tymit, ndërsa në altoparlamëntë buçisnin thirrjet për ndihmë. Roja bregdetare greke sqaruan se në bordin e Euroferry Olympia me flamur Italian kishte 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit. Shumica e tyre u arrit të kalonin në varkat e shpëtimit dhe të transferoheshin në portin e Korfuzit.

Aktualisht nuk ka raporte për vdekje apo lëndime. Një person më probleme në frymëmarrje nga tymi u dërgua në spital. Trageti ishte nisur nga Igumenica, porti më i madh në Greqinë perëndimore, drejt portit Italian të Brindisit, që ndodhet rreth nëntë orë larg. Kur ra zjarri, anija ishte në ujerat greke por rrymat e kanë shtyrë së fundi në ato shqiptare, duke bërë që tashmë të gjendet vetëm pak milje nga brigjet tona. Flakët shpërthyen pikërisht kur trageti ishte në afërsi të ishullit të Korfuzit në detin Jon.

“U zgjuam të tmerruar rreth orës 4:20 të mëngjesit. Brenda një ore ne ishim larguar nga anija… Na shpëtoi ekuipazhi, i cili veproi shpejt”, tha një nga pasagjerët për TV Skai përmes telefonit. Trageti është pjesë e flotës së grupit Grimaldi Lines dhe ka një kapacitet deri në 560 pasagjerësh, sipas faqes së internetit të kompanisë.