Digjet një fabrikë e prodhimit të dyshekëve në Gjakovë! Evakuohen punëtorët

GJAKOVË- Një fabrikë e dyshekëve është përfshirë nga flakët, në lagjen Piskotë të Gjakovës. Zjarri mori përmasa të mëdha dhe fabrika po digjej që nga pasditja.

Njoftimi i policisë së Gjakovës:

“Deri në këto momente, bazuar në informatat e pranuara, nuk raportohet për persona të lënduar, megjithatë verifikimi i plotë i situatës dhe i pasojave eventuale në njerëz do të bëhet pas shuarjes së plotë të zjarrit”, ka thënë Sheremet Elezaj nga policia.

Kompania njoftoi se punëtorët janë evakuuar me kohë, por thonë që nuk dihen akoma shkaqet e zjarrit. Lidhur me zjarrin e ka reaguar dhe kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

“Kjo është humbje për kompaninë, për Gjakovën dhe Kosovën. Edhe në këtë orë, zjarrëfikësit po luftojnë për ta mbrojtur një nga pjesët vitale të prodhimit që deri tani nuk është dëmtuar”, shkruan Gjini.