Elbasan, 7 prill 2025 – Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka njoftuar arrestimin në flagrancë të dy shtetasve dhe fillimin e procedimeve penale për dy të tjerë, të gjithë të dyshuar për ushtrim dhune ndaj bashkëshorteve ose ish-bashkëshorteve të tyre.
Në Gramsh, u arrestua shtetasi A. H., 56 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje. Po ashtu, u arrestua edhe N. Sh., 47 vjeç, për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Ndërkohë, në Elbasan, nisi procedimi penal ndaj shtetasit A. Ç., 58 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj ish-bashkëshortes. Një tjetër rast u referua nga Komisariati i Policisë Gramsh për shtetasin R. T., 40 vjeç, i cili dyshohet se ka kanosur dhe fyer ish-bashkëshorten përmes celularit.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.
