Dhuna online ndaj të rinjve: kur institucionet ngelen në klasë përballë realitetit digjital

Bardha Nergjoni, Edja Feçanji

Tri vite më parë një mbrëmje janari, E. P (asokohe 16 vjeç) nga një gjimnaz i qytetit të Elbasanit, mori në Snapchat një mesazh që e shqetësoi: “E di ku je tani.” Bashkë me fjalët, në ekran i shfaqej një hartë që tregonte vendndodhjen e saj. “Ishte një ndjesi frike që nuk e përshkruan dot. Nuk e njihja personin, por ai e dinte ku ndodhesha. Më pas nisën fjalët e pista dhe fotot fyese,” rrëfen ajo pasi u kontaktua nga elbasanion pas plotësimit të pyetësorit.

Eni tregon se kjo situatë vazhdoi për një farë kohe pasi ajo kishte vendosur ta injoronte. “Unë vendosa ta injoroj, ta bllokoj sa herë që më kontaktonte dhe të vazhdoj jetën derisa mesazhet filluan të shpeshtohen dhe po bëheshin të padurueshme” thotë ajo kur vendosi t’i tregonte një mësueseje. “Rasti kaloi shumë shpejt në polici dhe u përcaktua si përndjekje por që u desh kohë të identifikohej. Ende nuk ka një vendim, por nga denoncimi ai hoqi dorë”- tregon ajo gjatë intervistimit.
Ky është vetëm një nga dhjetëra rastet që tregojnë se dhuna online ndaj të rinjve në Shqipëri po rritet me shpejtësi, ndërsa institucionet mbeten një hap pas.

Nga fyerjet te tragjeditë
Dhuna që nis në rrjet po shfaq pasoja tragjike jashtë ekranit. Në Gramsh, një konflikt i nisur në rrjetet sociale mes dy adoleshentëve përfundoi fatalisht: një 17-vjeçar humbi jetën pas një goditjeje me thikë. Policia konfirmoi se përplasja kishte filluar me fyerje dhe komente në Instagram.
Ky rast tronditi opinionin publik dhe nxori në pah se konfliktet digjitale po kalojnë në dhunë fizike, duke dëshmuar mungesën e ndërhyrjes së hershme nga institucionet dhe shkollat.

Rrjetet që fshehin gjurmët

Një pyetësor i zhvilluar nëpërmjet ECR nga media Elbasanion, me 107 pjesëmarrës të grupmoshave të ndryshme duke filluar nga 18-50+ vjeç, (92 vajza dhe gra dhe 14 djem dhe burra), tregoi se rastet më të shpeshta të referuara nëpërmjet pyetësorit janë bullizim nëpërmjet pamjes fizike, përndjekje, keqpërdorim të imazheve intime, fyerje, shpërndarje dhe përdorim të fotografive, shpërndarje të materialeve me përmbajtje pornografike.
Instagrami dhe WhatsApp-i mbeten rrjetet më të përdorura, por Snapchat-i është më problematiku. Shkaku kryesor është funksioni i fshirjes automatike të mesazheve dhe fotove pas 24 orësh, që e bën të vështirë mbledhjen e provave.

“Snapi është një program ku mund të biesh shumë shpejt pre e dhunës,” – raportoi një një prind nëpërmjet pyetësorit. “Mesazhet fshihen, s’mund të provosh çfarë të kanë shkruar. Edhe lokacioni përdoret për kërcënime.” Mbas plotësimit të pyetësorit Elbasanion mundi të kontaktojë me zonjën, e cila na njohu me historinë e së bijës, 17 vjeçare që kish rënë pre e dhunës online dhe kish marrë një sërë mesazhesh, kërcënimesh dhe fotosh me përmbajtje të papërshtatshme nga persona të panjohur.
“Kam marrë foto intime apo dhe ngacmime me fjalë të shëmtuara pa dëshirën time. Në një nga rastet, pasi e kam bllokuar, ka vazhduar të më dërgojë kërkesë për shoqëri me adresa të ndryshme”- u shpreh e mitura. Një problem tjetër që ka Snapchat-i është se duke pasur si imazh një kukull që supozohet t’i ngjajë personit që ka adresën, ti e ke të vështirë të kuptosh se kush fshihet pas saj, çfarë moshe ka dhe ndonjëherë edhe cilës gjinie i përket- tha ajo.
Në pyetësor, më shumë se gjysma e pjesëmarrësve pranuan se janë përballur me forma të ndryshme të ngacmimeve duke filluar nga komentet për pamjen fizike, tek shpërndarja e fotove pa leje. Një vajzë nga Prrenjasi që nuk donte të identifikohej rrëfen:
“Fotot e mia janë transformuar dhe përdorur si meme. Kam marrë komente fyese në Instagram. Sot e kam frikë të postoj diçka me fytyrën time.”
Të tjerë tregojnë për raste ngacmimesh seksuale dhe manipulime nga të panjohur që maskohen pas profileve të rreme.
“Një djalë u prezantua si shkrimtar dhe më përfshiu në një ‘libër’ të vetin online pa leje, duke përdorur edhe historinë e sëmundjes së nënës sime për të më afruar,” thotë një vajzë 18-vjeçare nga Shkodra në vitin e parë të universitetit.

Rritje e rasteve, drejtësi që vonon

Sipas të dhënave statistikore në vitin 2024 në Shqipëri janë regjistruar 450 kallëzime për krime kibernetike dhe rreth 15% të të rinjve janë përballur me ngacmime online. Një studim në nivel kombëtar nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës me rreth 1000 të anketuar, nxori në pah fenomenin në rritje të bullizmit kibernetik.
Në Policinë e Elbasanit, Seksioni për Hetimin e Krimeve Kibernetike konfirmon rritje të denoncimeve për vitin 2025: 14 raste të referuara në prokurori, prej të cilave 3 lidhen me të mitur. Por shumica e dosjeve mbeten pezull dhe gjykata nuk ka dhënë asnjë vendim të ngjashëm të paktën dy vitet e fundit.
Në një përgjigje zyrtare drejtuar redaksisë, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan konfirmoi se për gjysmën e parë të vitit 2025 janë regjistruar 7 çështje për “Falsifikim kompjuterik” dhe 3 çështje për “Përndjekje” të kryer nëpërmjet SMS apo rrjeteve sociale. Ndërkohë nuk ka asnjë vendim të lidhur specifikisht me të mitur me krime të kësaj natyre.
Këto të dhëna tregojnë se, ndonëse rastet e dhunës online ndaj të rinjve raportohen gjithnjë e më shpesh, shumica nuk përfundojnë në gjykatë ose trajtohen nën akuza të përgjithshme për “falsifikim kompjuterik”, pa reflektuar dimensionin real të abuzimit digjital. “Kur autorët fshihen pas llogarive të rreme, kërkohet vendim gjykate për marrjen e të dhënave nga platformat. Pa të, identifikimi i autorëve është i pamundur,” – shpjegon një specialist i seksionit. “Ndërkohë, provat zhduken shpejt.”
Në Prokurorinë e Elbasanit, koordinatorja për Subjektet me Status të Posaçëm Armida Halili thekson se moshat ku hasen vepra penale të karakterit seksual dhe pasojave të bullizimit po ulen dhe rastet po shtohen:
“Kemi fëmijë 13–15 vjeç të përfshirë në shpërndarje fotosh apo videosh intime. Shpesh nuk kuptojnë peshën e veprës. Denoncimet ndodhin kur situata përhapet dhe prindërit apo shërbimet psikosociale ndërhyjnë.”
Ajo pranon se mungesa e stafit të specializuar dhe proceset e gjata teknike e bëjnë reagimin institucional të vonuar. “Duhet kohë për ekzaminimin e pajisjeve, gjë që e bën procesin më të vështirë, dhe kohën që duhet për rezultate konkrete më të gjatë”.
Një proces i tillë i bën të rinjtë dhe familjarët mosbesues dhe ndikon në denoncimin e rasteve konkrete.

“Asgjë s’ndodhi, prandaj heshta”
Në një gjimnaz të Elbasanit, disa nxënës tregojnë përvoja që ngjajnë me ato të E. një 15-vjeçare kujton se është tallur nga shokët pas publikimit të një fotoje në grupin e klasës.
“Në fillim e morën si shaka. Pastaj filluan të më ngacmojnë çdo ditë. Mësuesja më tha ‘mos u merr me ta, janë fëmijë’. Por unë s’doja të shkoja më në shkollë.”
Një djalë 17-vjeçar, viktimë e një faqeje “meme”-sh, tregon se bullizimi online ka zgjatur dhe ishte shumë e vështirë për ta ndalur.
“Kur e pashë foton time të kthyer në shaka, ndjeva sikur qeshnin të gjithë me mua. U mbylla në shtëpi për javë të tëra. Policia më tha që pa vendim gjykate nuk mund të gjejë kush e kishte hapur faqen.”
Këto histori përsëriten në qytete të tjera. Në Durrës, një prind rrëfen se vajza e tij 14-vjeçare u bë objekt shantazhi pas një bisede të thjeshtë në rrjet. Në Korçë, një mësuese thotë se ka raportuar tre raste bullizmi digjital brenda një muaji, por asnjë nuk është ndjekur penalisht.
Xhorxhina Roci, një influencere e njohur në rrjetet sociale sidomos në Tik Tok, që ka përjetuar vetë pasojat e bullizmit online, ka ndërmarrë një nismë për forcimin e ligjit që ndëshkon bullizmin në të gjitha format përfshirë atë digjital.
Në rrjetet e saj sociale, ajo ka ndarë përvoja personale dhe ka bërë thirrje për një reagim ligjor më të fortë dhe edukim kundër dhunës verbale në shkolle dhe online.
“Asnjë koment nuk është i pafajshëm kur lëndon dikë. Duhet të kuptojmë se pas ekranit është një njeri i vërtetë,” shkruan Roçi në një prej fushatave të saj.
Fushata e saj, e ndjekur nga mijëra të rinj, po kthehet në një nxitje për ndryshim të qëndrimeve shoqërore dhe për shtimin e mbrojtjeve ligjore kundër bullizmit digjital. Ajo ka ndarë historinë e saj të bullizimit që ka sjellë pasoja të rënda në jetën e saj. “Nuk dua të përjetojë dikush tjetër atë gjë që kam përjetuar unë, ndaj duhet reagim që historitë mos përsëriten”.

Sistemi i ngadaltë përballë teknologjisë së shpejtë
Ekspertët e fushës theksojnë se Shqipëria nuk ka ende një ligj specifik për mbrojtjen e të miturve online, ndërsa rregullimet ekzistuese janë të shpërndara në ligje të përgjithshme për krimet kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Për pasojë, policia, prokuroria dhe gjykatat shpesh operojnë në terren gri ligjor, ku nuk dihet qartë cili institucion duhet të ndërhyjë i pari.
Një mësuese e një gjimnazi në Elbasan thotë se ka shumë raste të tilla por që është e vështirë të marrë zgjidhje në situatën që është stafi dhe strukturat e policisë apo prokurorisë.
“Kur një nxënës përballet me bullizëm online, reagimi ynë është spontan, jo institucional. Nuk kemi manuale, as psikologë të trajnuar për këtë lloj dhune.”

Një realitet kombëtar i paadresuar
Rastet e Elbasanit janë vetëm një pjesë e mozaikut të dhunës dixhitale që po prek fëmijët në të gjithë vendin. Të dhënat e policisë tregojnë rritje të rasteve të “ngacmimit seksual online”, “shpërndarjes së materialeve të turpshme” dhe “përhapjes së fotove pa leje” në të gjitha qarqet e vendit. Por vetëm pak përfundojnë me masa ndëshkuese.
Ekspertët paralajmërojnë se pa ndërhyrje të menjëhershme, Shqipëria rrezikon të ketë një “brez të ekspozuar dhe të pambrojtur në hapësirën digjitale” që po rritet pa mbrojtje ligjore, psikologjike dhe arsimore.

Ligji i propozuar për mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën dixhitale
CRCA/ECPAT Shqipëri ka propozuar në vitin 2025 një projektligj për mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën digjitale, që synon të krijojë kuadrin e parë ligjor kombëtar për sigurinë online të të miturve.
Projektligji parashikon kontroll prindëror dhe verifikim të moshës për akses në përmbajtje online, mbrojtje të të dhënave personale të fëmijëve (privacy by default), detyrime për platformat digjitale që të raportojnë rastet e abuzimit dhe sanksione për subjektet që shkelin detyrimet ligjore.
Altin Hazizaj, drejtues i CRCA/ECPAT Shqipëri, deklaroi ky ligj është i domosdoshëm për sfidat që po kalojmë.
“Shqipëria ka urgjencë për të mbrojtur fëmijët atje ku ndodhen sot – në internet. Nevojitet një ligj që vendos përgjegjësi të qarta për platformat dhe që detyron shtetin të garantojë sigurinë digjitale të fëmijëve.”
Sipas tij miratimi i këtij ligji do të ishte një pikë kthese në parandalimin e abuzimeve kibernetike dhe dhunës online ndaj të miturve.
Në mungesë të një reagimi të fortë institucional dhe masave ndëshkuese dhuna online ndaj të rinjve rrezikon të normalizohet.

*Për të gjithë personat e intervistuar nën moshën 18 vjeç është siguruar leja prindërore