KOÇOVË- Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja e efektivit në Kuçovë. Konkretisht ngjarja ka ndodhur teksa Zamir Skënderi, 45 vjeç, me precedentë të mëparshëm penalë dhe banues në Kuçovë, ishte shoqëruar nga shërbimet e DVP Fier, pasi më herët gjatë ditës ishte konfliktuar në ambientet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.
Pas shoqërimit, me kërkesë të DVP Fier, Komisariati i Policisë Kuçovë kishte dërguar një patrullë për transportimin e tij. Tre efektivët po ktheheshin së bashku me shtetasin e shoqëruar në drejtim të Fierit, kur në aksin nacional Fier–Dimal, në dalje të fshatit Kutalli, situata ka dalë jashtë kontrollit.
Skënderi, i cili ndodhej i ulur në sediljen e pasme të mjetit të policisë, pranë efektivit Arsen Toska, 20 vjeç, dyshohet se i ka marrë armën e shërbimit këtij të fundit dhe e ka qëlluar duke e plagosur në kofshë. Menjëherë pas të shtënës, Zamir Skënderi ka tentuar të largohej, por është neutralizuar dhe arrestuar nga dy efektivët e tjerë që ndodheshin në automjet.
Ndërkohë, polici i plagosur është transportuar fillimisht drejt Spitalit Rajonal Berat, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas është dërguar për trajtim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Gjithashtu në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të DVP Berat, si dhe inspektorë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilat po punojnë për zbardhjene plotë të ngjarjes.













