SHKODËR, 10 mars 2026 – Dy persona janë arrestuar pas të shtënave me armë zjarri gjatë një operacioni policor të zhvilluar pasditen e së hënës në lagjen “Guerrile”, në Shkodër, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, në pranga janë vënë Ervis Baba, 43 vjeç, dhe një 17-vjeçar, të dy banues në lagjen “Guerrile”. Në kërkim është shpallur Bajram (Barush) Bregu, 40 vjeç, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër për të kanosur punonjësit e policisë gjatë ndjekjes.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:10 të datës 9 mars, kur shërbimet e policisë, gjatë patrullimit në zonë, i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti për kontroll. Automjeti drejtohej nga Ervis Baba dhe në të udhëtonin një i mitur dhe Bajram Bregu.
Sipas policisë, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit për ndalim, duke shtuar shpejtësinë dhe kryer manovra të rrezikshme, çka ka detyruar efektivët ta ndjekin automjetin.
Gjatë ndjekjes, Bregu dyshohet se ka zbritur nga automjeti dhe ka qëlluar një herë në ajër me pistoletë për të kanosur policinë, duke u larguar më pas nga vendi i ngjarjes. Policia arriti të ndalojë drejtuesin e automjetit dhe pasagjerin e mitur, ndërsa Bregu mbetet në kërkim.
Gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit e dyshuar e përdorur në këtë rast, si dhe automjeti tip “Seat Volkswagen” me të cilin lëviznin të dyshuarit.
Forca të shumta policie zhvilluan kontrolle në zonën e Kirasit dhe në disa banesa ku dyshohej se mund të fshihej i kërkuari, por pa mundur ta lokalizojnë atë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.













