Del foto e 21-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht në aksidentin e sotëm në Elbasan

ELBASAN – Është identifikuar viktima e aksidentit të rëndë rrugor të ndodhur mëngjesin e sotëm në afërsi të qytetit të Elbasanit. Bëhet fjalë për Nehat Urucin, 21 vjeç, i cili ka humbur jetën në mënyrë tragjike si pasojë e përplasjes së automjetit me një pemë.

Sipas informacioneve paraprake, i riu ndodhej në automjet në cilësinë e pasagjerit, ndërsa mjeti drejtohej nga një shtetas që dyshohet se ishte në gjendje të dehur. Për shkak të humbjes së kontrollit, automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me forcë, duke i shkaktuar 21-vjeçarit vdekjen e menjëhershme në vendngjarje.

Drejtuesi i automjetit ka mbetur i plagosur dhe është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Elbasanion i shpreh ngushëllimet e ndjera familjes Uruçi