Dalin emrat/ Policia jep detaje rreth vrasjes dhe vetëvrasjes së çiftit në Orikum

Një krim në familje ka ndodhur në Orikum, në Vlorë. Burime paraprake bëjnë me dije se një burrë ka dhunuar dhe ka vrarë gruan e tij dhe më pas edhe veten.

Sipas informacioneve, fillimisht gruaja është dërguar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa më pas autori është kthyer në banesë, ku është gjetur pa shenja jete pasi ka vrarë veten.

Viktimat e identifikuar janë burri Llogora Xhebroi dhe bashkëshortja e tij Sose Xhebroi.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave, ndërsa hetimet vijojnë.

Orikum/Informacion paraprak

Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.

Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.

Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.