Çifti i të moshuarve në Gramsh, të braktisur dhe në kushte të mjerueshme

Në qytetin e Gramshit çifti i të moshuarve Mustafa dhe Luljeta Hyseni banojnë të vetëm prej 20 vitesh pranë zonës së ish poligonit në një barake e cila vite më parë përdorej si zdrukthtari.Kushteve të mjerueshme në të cilat ata jetojnë u shtohet dhe mungesa e ujit të pijshëm të cilin ujësjellësi ua ka prerë në pamundësi të shlyerjes së faturave.

“Ujin na e kanë ndërprerë prej kohësh sepse s’kemi mundësi ta paguajmë. Për ujë të pijshëm na ndihmojnë komshinjtë”- shprehet Luljeta.

Ajo thotë se të vetmet të ardhura me të cilat mbajnë frymën gjallë janë 4 mijë lekë të reja ndihmë ekonomike dhe se për të siguruar ujin e pijshëm detyrohen të shkojnë te banorët e tjerë të lagjes ku jetojnë.

“Jetojmë këtu prej 22 vitesh. Kam 3 fëmijë që jetojnë jashtë vendit dhe asnjëri nuk kujtohet për ne. Çfarë kërkoj është një banesë dhe të na rritet ndihma ekonomike, se aq sa marrim s’na mjafton as për ilaçe”- shprehet Luljeta.

Në anën tjetër bashkëshorti i saj Mustafai shprehet se është munduar të gjejë punë për të fituar të ardhura, por shpesh herë kthehet duar bosh në shtëpi.
“Jam 60 vjeç, po jam në gjendje për të punuar. Bëj apel për ndihmë që të na rrisin ndihmën ekonomike dhe të më sigurohet një vend pune që të kemi të ardhura të mjaftueshme për të jetuar”- thotë ai.

Varfëria dhe mungesa e një banese për strehim mbeten dy nga problemet më të vështira për shoqërinë e sotme shqiptare. Kjo gjendje vitet e fundit ka përfshirë gjerësisht të 7 bashkitë e Qarkut të Elbasanit.

Rasti i kësaj familjeje nuk është i vetmi në Bashkinë e Gramshit pasi janë të shumta familjet të cilat e vuajnë këtë fat si pasojë e varfërisë së tejskajshme.