Këshilli Bashkiak i Cërrikut ka votuar kundër propozimit për bashkimin e bashkisë me Elbasanin, në kuadër të diskutimeve për reformën administrativo-territoriale. Nga 22 këshilltarë që morën pjesë në votim, 7 votuan kundër, 2 pro, ndërsa 13 abstenuan.
Qëndrimi i Cërrikut vjen pak ditë pas vendimit të Këshillit Bashkiak të Belshit, i cili gjithashtu është shprehur kundër riorganizimit territorial që parashikon përfshirjen e bashkisë në një njësi të re me qendër Elbasanin. Të dyja bashkitë kanë argumentuar kundër ndryshimit të statusit të tyre aktual.
Në kahun tjetër, Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar propozimin për bashkimin me Cërrikun dhe Belshin. Nëse reforma do të miratohet në këtë formë, tre bashkitë do të përfshihen në një njësi të vetme administrative, me Elbasanin si qendër.
Vendimet e këshillave vendorë janë pjesë e procesit të konsultimit për riorganizimin administrativo-territorial. Pas qëndrimeve të kundërta të këshillave të Cërrikut dhe Belshit me atë të Elbasanit, pritet që debati për këtë bashkim të vijojë në fazat e mëtejshme të procesit të reformës.




