Cërrik: Shpallet në kërkim pronari i kamionëve dhe ekskavatorit të sekuestruar

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin B. H., 52 vjeç, pas kontrollit të kryer në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Në shtratin e lumit Devoll, fshati Lumas, u konstatuan 2 kamionë me inerte pa autorizim dhe 1 ekskavator, të cilat u sekuestruan si prova materiale. Punimet për kapjen e 52-vjeçarit janë në zhvillim. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.