Qafa e Burrelit, 3 maj 2025 – Një ngjarje e rëndë u regjistrua dje në një fabrikë përpunimi kromi në zonën e Qafës së Burrelit, ku një punëtor 29-vjeçar u zu poshtë nga një masiv rëre dhe minerali gjatë punës me një fadromë. Deri më tani, ai rezulton i zhdukur, ndërkohë që forcat e kërkim-shpëtimit vijojnë punën për gjetjen e tij.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Klos arrestuan në flagrancë shtetasin Arben Lleshi, 44 vjeç, banues në Klos, me detyrë drejtues teknik i shoqërisë ku ndodhi aksidenti. Ai akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Policia bëri të ditur se hetimet paraprake tregojnë se mungesa e masave të nevojshme të sigurisë në punë mund të ketë sjellë pasojat e rënda për punëtorin Altin Basha, 29 vjeç, i cili vijon të jetë i zhdukur.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.
