Belshi drejt braktisjes nga të rinjtë, shkak mungesa e mundësive për punësim

Screenshot

Belshi, një qytet i vogël turistik në Shqipëri, është një destinacion i njohur për bukuritë natyrore dhe liqenet e tij piktoreske. Megjithatë, pavarësisht fluksit të turistëve vendas dhe të huaj, qyteti ofron shumë pak mundësi për të rinjtë, të cilët ndihen të papërfaqësuar dhe pa perspektivë për të ardhmen.

Sipas banorëve, një nga problemet kryesore është mungesa e punësimit dhe pagat e ulëta, të cilat nuk mundësojnë një jetesë dinjitoze.

“Këtu nuk ka rroga, nuk ka mundësi për ne të rinjtë. Me ato para që merr këtu vetëm sa mund t’i dalësh muajit, nuk ke mundësi të dalësh diku, të shijosh diçka. Shtëpi-punë, punë-shtëpi, po jeta nuk është kjo. Ata që kanë ikur nuk kthehen më”- u shpreh një i ri i cili jeton në Greqi prej vitesh.

“Duhen të hapen vende pune, të rriten rrogat që të rinjtë të mos largohen. Pse të qëndrojnë këtu, kur për të njëjtën punë që këtu paguhen 400 mijë lekë të vjetra, në Europë marrin 2 mijë euro”- u shpreh një qytetare.

“Ju i dini çmimet si janë këtu, më shtrenjtë se kudo ndërsa rrogat më të ultat. Duhet të rriten pagat”- tha një tjetër.

Për shkak të këtyre kushteve, shumë të rinj detyrohen të largohen jashtë vendit në kërkim të një të ardhmeje më të mirë.

Një situatë e tillë ndikon drejtpërdrejt në komunitet, duke cuar shkollat e Belshit drejt braktisjes si pasojë e emigracionit masiv.

Për më tepër, qyteti nuk ka asnjë qendër rinore apo ambiente ku të rinjtë mund të angazhohen në aktivitete kulturore, sociale apo edukative.

Një situatë akoma më problematike paraqitet në zonat rurale. Në Dëshiran, një fshat jo shumë larg Belshit, banorët vuajnë mungesën e ujit për vaditje ndërsa shprehen se kanë mbetur vetëm të moshuar.

“Ne s’kemi ujë për vaditje, që Dumreja ngordh për ujë. Plugimet e plehnat janë të kushtueshëm, këtu kemi mbetur vetëm pleq. Unë s’kam më fuqi të bëj krastitjet. Të rinjtë ikin se ktu s’ka të ardhme, s’ka treg ku të shesim prodhimin”- u shpreh një banor.

“Të rinjtë janë larguar të gjithë, kanë mbetur vetëm moshat e treta”- tha një tjetër.

Kjo mungesë alternativash sipas banorëve bën që shumë prej tyre të ndihen të izoluar dhe pa asnjë motiv për të qëndruar.

Edhe pse Belshi ka potencial të madh turistik, mungesa e investimeve në zhvillimin ekonomik dhe social të qytetit vazhdon të jetë një sfidë.

Për të ndalur largimin e të rinjve, nevojiten politika më të forta për krijimin e vendeve të punës, rritjen e pagave dhe investime në infrastrukturën sociale, duke përfshirë hapjen e qendrave rinore dhe nxitjen e aktiviteteve komunitare.

Sipas të dhënave të Censusit të vitit 2023, kjo bashki numëron 17,123 banorë ose 2380 më pak krahasuar me të dhënat nga censusi i vitit 2011.