Pas kundërshtimeve të shprehura nga banorët e lagjes “Emin Matraxhiu” lidhur me zgjerimin e varrezave publike, Bashkia e Elbasanit ka ndërmarrë verifikime në terren në zonën e Belebesë, për të vlerësuar nga afër situatën dhe ndikimin e projektit në komunitet.
Gjatë inspektimit, Nënkryetari i Bashkisë, së bashku me përfaqësues të administratës vendore, zhvilluan një takim me banorët, ku u diskutuan shqetësimet e ngritura dhe u evidentua afërsia e zonës së planifikuar për varreza me banesat përreth.
Sipas komunitetit, autoritetet vendore janë angazhuar për rishikimin e projektit, duke garantuar rritjen e distancës mes varrezave dhe banesave deri në 100 metra, me synimin për të siguruar kushte më të përshtatshme jetese dhe për të shmangur pasojat psikologjike e sociale, veçanërisht për familjet me fëmijë.
Ndërhyrja e Bashkisë vjen pas reagimit të organizuar të banorëve dhe nismës së tyre përmes një peticioni, ku paralajmërohej edhe ndjekja e rrugëve ligjore në rast se projekti nuk do të pësonte ndryshime.
Banorët shprehen se do të presin që ky angazhim të materializohet në vendime dhe dokumente zyrtare, ndërsa procesi do të vijojë të ndiqet nga afër nga komuniteti.













