Pano Ruçi, babai i Denis Ruçit, 22-vjeçarit që humbi jetën në aksidentin tragjik hekurudhor në Tempi të Greqisë, ka nisur që prej së hënës një grevë urie përpara parlamentit grek, në sheshin Syntagma, në Athinë.
Siç shkruajnë mediat greke, ai kërkon leje për zhvarrosjen e trupit të të birit, kërkesë kjo që është refuzuar nga Gjykata e Apelit në Larisa. Ky vendim e ka shtyrë atë të protestojë në mënyrë ekstreme përballë institucionit më të lartë ligjvënës të Greqisë.
Ai shprehet se ka dyshime serioze mbi identitetin e trupit që iu dorëzua si i biri, duke pretenduar se qeveria greke e ka mashtruar.
Sipas tij, ka shumë mundësi që trupi i Denis Ruçit është djegur plotësisht gjatë aksidentit, për shkak të lëndëve të fuqishme djegëse, dhe se nuk ndodhet në varrin ku prehet.
“Nuk dua më heshtje. Dua të zhvarros trupin. Nuk jam i bindur që është djali im. Dua të di të vërtetën, edhe nëse ajo më shkatërron,” është shprehur ai për mediat greke.
Familja Ruçi prej dy vitesh ka kërkuar transparencë dhe verifikim të ADN-së, por pretendon se nuk ka marrë përgjigje zyrtare.
Ruçi ka nisur grevën në zonën ku ndodhet memoriali i përkohshëm i viktimave të tragjedisë së Tempit, përballë Monumentit të Ushtarit të Panjohur, aty ku është i shënuar edhe emri i të birit. Ai mban me vete një pankartë dhe një banderolë, përmes të cilave kërkon drejtësi dhe të drejtën për rivarrosjen e djalit.
Tragjedia e Tempit ndodhi më datë 28 shkurt 2023, rreth orës 23:21 me orën lokale. Përplasja “kokë më kokë” midis një treni pasagjerësh që vinte nga Athina për në Selanik dhe një treni mallrash që udhëtonte nga veriu drejt Larisës, i mori jetën 57 personave.
Në trenin e udhëtarëve ishin në total 350 persona, ku shumë u plagosën. Familjarët e viktimave kanë kërkuar drejtësi mbi ngjarjen. Që prej kohës kur ka ndodhur aksidenti, protesta të shumta janë zhvilluar në mbarë Greqinë.
