Babai e denoncoi të zhdukur/ 23-vjeçari gjendet i pajetë me shenja në trup pranë liqenit të Shkopetit

Një 23-vjeçar është gjetur i pajetë pranë liqenit të Shkopetit.

Ka qenë babai i tij që ka bërë kallëzim në polici mbrëmjen e së martës, se i biri Renis Dobra nuk është kthyer në banesë.

Policia thotë se pas disa orësh kërkime, kanë gjetur trupin e tij të pajetë pranë liqenit të Shkopetit.

Megjithatë ende nuk dihen shkaqet e vdekjes ndërkohë që sipas policisë automjeti me të cilën lëvizte i riu ka rënë në liqen.

Gjithashtu bëhet me dije se në trupin e viktimës janë konstatuar shenja të dukshme dhune, përfshirë mavijosje në zonën e fytit.

Këto shenja ngjallin dyshime të forta se i riu është mbytur fillimisht me litar dhe më pas është hedhur në zonën e Shkopetit, me qëllim për të fshehur krimin, por do të jetë autopsia e Mjekësisë Ligjore që do të përcaktojë shkaqet e vdekjes.

Hetimet janë përqendruar në dy pista kryesore. E para lidhet me një përplasje të mundshme për shkak të parcelave të kultivuara me kanabis dhe pista e dytë ka të bëjë me një konflikt të mundshëm për motive xhelozie apo lidhje sentimentale.

Gjithashtu Dobra nuk ka precedentë të rëndë kriminalë dhe njihej vetëm për disa raste vjedhjesh.