Me urdhër të Prokurorisë, është arrestuar efektivi i policisë Besart Kovaçi, i cili ndodhej brenda një berberhaneje në momentin e atentatit të ndodhur në fshatin Rrilë të Lezhës.
Sipas burimeve zyrtare, ndaj efektivit rëndon akuza për shpërdorim detyre, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende publike arsyet e plota të ndalimit të tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme, kur persona ende të paidentifikuar qëlluan me mbi 30 plumba në drejtim të sallonit të berberit. Si pasojë, humbi jetën shtetasi Sokol Daçi, i cili u godit nga tre plumba në trup.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se shënjestër e atentatit dyshohet të ketë qenë Merando Nikulaj, 21 vjeç, nipi i Ardian Nikulajt.
Efektivi i policisë, i cili ndodhej rastësisht në ambientet e berberhanes, ka reaguar gjatë sulmit duke përdorur armën e shërbimit ndaj autorëve.
Ndërkohë, policia po vijon kontrollet intensive në zonën e Lezhës për identifikimin dhe kapjen e autorëve të atentatit, ndërsa hetimet janë në fazë aktive.













